Pse Software-i i Lirë S’do të Duhej të Kishte Pronarë

nga Richard Stallman

Kontributi i teknologjisë dixhitale të informacionit në botë është bërja më e lehtë të kopjohet dhe të ndryshohet informacioni. Kompjuterat premtojnë ta bëjnë më të lehtë këtë, për të gjithë ne.

Jo gjithkush dëshiron që kjo të jetë më e lehtë. Sistemi i të drejtave të kopjimit u jep programeve software “pronarë”, shumica e të cilëve synojnë t’i mbajnë për vete përfitimet potenciale. Do të donin të ishin të vetmit që mund të kopjojnë dhe ndryshojnë software-in që përdorim ne.

Sistemi i të drejtave të kopjimit lindi dhe u rrit me shtypshkrimin -një teknologji për prodhim masiv kopjesh. Të drejtat e kopjimit i shkojnë për shtat kësaj teknologjie, ngaqë kufizoi vetëm prodhimin masiv të kopjeve. Nuk u hoqi lirinë lexuesve të librave. Një lexues i rëndomtë, që nuk kish shtypshkronjë, mund të kopjonte libra me penë dhe bojë, dhe pak lexues u paditën për këtë.

Teknologjia dixhitale është më e zhdërvjellët se sa shtypshkronja: kur informacioni ka formë dixhitale, mund ta kopjoni lehtësisht për ta ndarë me të tjerët. Pikërisht kjo zhdërvjelltësi e bën të papërshtatshme me një sistem si ai i të drejtave të kopjimit. Kjo është arsyeja e masave të shpifura dhe drakoniane gjithnjë në rritje, të përdorura për të zbatuar me detyrim të drejtat e kopjimit për software-in. Shihni këto katër praktika të Shoqatës së Botuesve të Software-it (SPA):

Krejt të katërta praktikat u ngjajnë atyre të përdorur në ish-Bashkimin Sovjetik, ku çdo makinë fotokopjimi kish një roje për të penguar kopjime të ndalura, dhe ku individëve u duhej të kopjonin në fshehtësi informacionin dhe ta kalonin dorë më dorë si samizdat. Sigurisht që kanë një dallim: motivi për kontroll të informacionit në Bashkimin Sovjetik ishte politik; në ShBA motivi është përfitimi. Por ne na prek veprimi, jo motivi. Çfarëdo përpjekje për të bllokuar ndarjen e informacionit me të tjerët, s’ka rëndësi se si, shpie te të njëjtat metoda dhe te e njëjta ashpërsi.

Pronarët kanë disa argumente për t’u dhënë atyre kontroll se si e përdorim ne informacionin:

Çfarë i duhet shoqërisë? I duhet informacion që është vërtet i passhëm nga qytetarët e saj - për shembull, programe që njerëzit mund t’i lexojnë, ndreqin, përshtatin dhe përmirësojnë, jo thjesht t’i përdorin. Por ajo që japin zakonisht pronarët e software-it është një kuti e zezë të cilën s’mund ta studiojmë apo ndryshojmë.

Shoqëria gjithashtu ka nevojë për liri. Kur një program ka pronar, përdoruesit humbasin lirinë të kontrollojnë pjesë të jetës së tyre.

Dhe, mbi të gjitha, shoqëria ka nevojë të nxisë mes qytetarëve të saj frymën e bashkëpunimit vullnetar. Kur pronarët e software-it na thonë se të ndihmosh fqinjët tanë në një rrugë të natyrshme është “pirateri”, ata ndotin frymën civile të shoqërisë tonë.

Kjo është arsyeja pse themi se software-i i lirë është çështje lirie, jo çmimi.

Argumenti ekonomik për pronarët është i gabuar, por problemi ekonomik është real. Disa njerëz shkruajnë software të dobishëm nga kënaqësia e shkrimit të tij ose nga admirim dhe dashuria; por nëse duam më tepër software se sa shkruajnë këta njerëz, na duhet të mbledhim fonde.

Që nga vitet ’80, zhvilluesit e software-it të lirë kanë provuar metoda të ndryshme për të gjetur fonde, me njëfarë suksesi. S’është nevoja që gjithkush të bëhet i pasur; një palë të ardhura të zakonshme përbëjnë goxha nxitje për të bërë plot punë që sjellin më pak kënaqësi se sa programimi.

Për vite të tëra, derisa anëtarësia shok e bëri të panevojshme, e nxora jetesën nga thellime të software-it të lirë që pata shkruar, për klientë të ndryshëm. Çdo thellim i shtohej versionit standard të hedhur në qarkullim dhe ndaj si përfundim u bë i passhëm nga publiku i përgjithshëm. Klientët më paguan që të mund të punoja mbi thellimet që donin, në vend se mbi veçori që unë mund t’i kisha konsideruar të përparësisë më të lartë.

Disa zhvillues software-i të lirë nxjerrin para duke shitur shërbime asistence. Më 1994-n, Cygnus Support, me rreth 50 të punësuar, vlerësoi se rreth 15 përqind e veprimtarisë së stafit qe zhvillim software-i të lirë - një përqindje e respektueshme për një shoqëri software-i.

Në fillimet e viteve ’90, shoqëri, përfshi, Motorola, Texas Instruments dhe Analog Devices ranë dakord të financonin zhvillimin e përpiluesit GNU C. Shumica e zhvillimit të GCC-së ende kryhet nga zhvillues të paguar. Përpiluesi GNU për gjuhën Ada u financua gjatë viteve ’90 nga Forca Ajrore e ShBA-ve dhe kështu vazhdoi deri kur u formua një shoqëri posaçërisht për atë qëllim.

Lëvizja e software-it të lirë është ende e vogël, por shembulli i radiove të mbuluara financiarisht nga dëgjuesit, në ShBA tregon se është e mundur të përkrahet një veprimtari e madhe pa e detyruar secilin prej nesh të paguajë.

Si një përdorues kompjuteri sot, mund ta kapni veten duke përdorur një program pronësor. Nëse shoku ju kërkon të bëni një kopje, do të ishte e gabuar të mos pranoni. Bashkëpunimi është më i rëndësishëm se sa të drejtat e kopjimit. Por bashkëpunimi nën rrogoz, në ilegalitet, nuk bën për një shoqëri të mirë. Një person duhet të aspirojë të jetojë një jetë drejt, haptas, me krenari dhe kjo do të thotë t’i thuhet jo software-it pronësor.

E meritoni të jeni në gjendje të bashkëpunoni haptas dhe lirish me persona të tjerë që përdorin software. E meritoni të jeni në gjendje të mësoni se si funksionon software-i dhe t’ua mësoni studentëve tuaj. E meritoni të jeni në gjendje të punësoni programuesin tuaj të parapëlqyer për ta ndrequr, kur dëmtohet.

Meritoni software të lirë.

Poshtëshënim

  1. Akuzat më pas u gjetën të pavërteta.

Kjo sprovë është botuar te Software i Lirë, Shoqëri e Lirë: Sprova të Përzgjedhura të Richard M. Stallman-it.