Kujt i shërben në të vërtetë ai shërbyes?

nga Richard Stallman

(Versioni i parë u botua në Boston Review.)

Në Internet, software-i pronësor s’është mënyra e vetme për të humbur lirinë tuaj. Shërbime si Zëvendësim Software-i, (ose SaaSS), është një tjetër mënyrë për t’i dhënë dikujt pushtet mbi punimin tuaj me kompjuter.

Thelbi është se mund të keni kontroll mbi një program të shkruar nga dikush tjetër (nëse është i lirë), por s’mund të keni kurrë kontroll mbi një shërbim që e xhiron dikush tjetër, ndaj mos përdorni kurrë një shërbim atje ku, në parim, një program do të mbaronte punë.

SaaSS do të thotë të përdorësh një shërbim të sendërtuar nga dikush tjetër, si zëvendësim të xhirimit të kopjes tuaj të një programi. Termi është i yni; nuk kanë për ta përdorur artikuj dhe reklama, dhe nuk do t’ju rrëfejnë nëse një shërbim është apo jo SaaSS. Në vend të kësaj, ka gjasa të përdorin termin e vagullt dhe shpërqendrues “cloud” (“re”), me të cilin futen në një thes SaaSS-i tok me praktika të tjera të ndryshme, disa abuzive dhe disa jo. Me shpjegimin dhe shembujt e kësaj faqeje, mund të kuptoni nëse një shërbim është apo jo SaaSS.

Kuadër Më i Përgjithshëm: Si Ju Heq Lirinë Software-i Pronësor

Teknologjia dixhitale mund t’ju japë liri; por mundet edhe t’ua heqë lirinë. Kërcënimi i parë ndaj kontrollit tonë mbi punimin me kompjuter erdhi nga software-i pronësor: software të cilin përdoruesit nuk e kontrollojnë dot, ngaqë e kontrollon i zoti (një kompani si Apple ose Microsoft). I zoti shpesh përfiton nga ky pushtet jo i drejtë, duke futur veçori dashakeqe, f.v. spyware, deriçka, dhe Administrim Dixhital të Kufizimeve (DRM) (i quajtur “Administrim Dixhital të Drejtash” në propagandën e tyre).

Zgjidhja jonë për këtë problem është zhvillimi i software-it të lirë dhe mospranimi i software-it pronësor. Software-i i lirë do të thotë që ju, si përdorues, keni katër liri themelore: (0) ta xhironi programin si të keni qejf, (1) ta studioni dhe ndryshoni kodin burim që të bëjë atë që keni qejf, (2) të rishpërndani kopje ekzakte, dhe (3) të rishpërndani kopje të versioneve tuaj të modifikuar. (Shihni përkufizimin e software-it të lirë.)

Me software-in e lirë, ne, përdoruesit, rifitojmë kontrollin mbi punimin me kompjuter. Software-i pronësor prapë ekziston, por ne mund ta përjashtojmë nga jeta jonë dhe shumë prej nesh e kanë bërë. Por tani na ofrohet një tjetër rrugë joshëse për të hequr dorë nga kontrolli mbi punimin tonë me kompjuter: Shërbim si Zëvendësim Software-i (SaaSS). Për hir të lirive tonë, na duhet ta hedhim tej edhe këtë.

Si Ju Heq Lirinë Shërbimi si Zëvendësim Software-i

Shërbimi si Zëvendësim Software-i (SaaSS) do të thotë përdorimi i një shërbimi si zëvendësim i xhirimit të kopjes tuaj të një programi. Konkretisht, do të thotë që dikush rregullon një shërbyes rrjeti që kryen një punë që mund të bëhet me kompjuter — për shembull, modifikim i një fotoje, përkthim teksti në një gjuhë tjetër, etj. — dhe mandej fton përdorues ta bëjnë përmes atij shërbyesi. Një përdorues i shërbyesit do t’i dërgonte të dhënat e veta te shërbyesi, që kryen në vend të tij këtë punë mbi të dhënat e furnizuara, dhe mandej i dërgon përfundimet te përdoruesi ose vepron drejtpërsëdrejti në këmbë të tij.

Kryerja bëhet në vend të tij ngaqë, presupozohet, ai do të mundej, në parim, ta bënte duke xhiruar një program në kompjuterin e vet (pavarësisht faktit nëse ka apo jo në kohën e dhënë një program të tillë të gatshëm për përdoruesin). Për rastet kur ky presupozim s’është i vërtetë, s’bëhet fjalë për SaaSS.

Këta shërbyes ua rrëmbejnë kontrollin përdoruesve edhe më pakthyeshëm se sa software-i pronësor. Me software-in pronësor, përdoruesit zakonisht marrin një kartelë të ekzekutueshme programi, por jo kodin burim. Kjo e bën të vështirë studimin e kodit që xhirohet, ndaj është e vështirë të përcaktohet se ç’bën në të vërtetë programi, dhe e vështirë të ndryshohet.

Me SaaSS-in, përdoruesit nuk ka as kartelën e ekzekutueshme të programit që bën punën për ta: programi gjendet në shërbyesin e dikujt gjetkë, ku përdoruesit s’mund ta shohin apo të fusin duart. Ndaj për ta është e pamundur të sigurohen se çfarë bën në të vërtet, dhe e pamundur ta ndryshojnë.

Për më tepër, SaaSS shpie automatikisht në pasoja të njëvlershme me veçoritë dashakeqe të disa prej software-it pronësor.

Për shembull, disa programe pronësorë janë “spyware”: programi dërgon të dhëna mbi veprimtari kompjuterike të përdoruesve. Microsoft Windows dërgon te Microsoft-i të dhëna mbi veprimtaritë e përdoruesve. Windows Media Player raporton se çfarë sheh apo dëgjon çdo përdorues. Amazon Kindle raporton se cilat faqe të librave shohin përdoruesit, dhe ku. Angry Birds raporton historik gjeovendndodhjeje të përdoruesit.

Ndryshe nga software-i pronësor, SaaSS-i nuk kërkon kod mbulesë për të përfituar të dhëna të përdoruesit. Në vend të kësaj, përdoruesit duhet të dërgojnë të dhëna të tyret te shërbyesi që të mund ta përdorin. Kjo ka të njëjtin efekt si spyware-i: operatori i shërbyesit merr të dhënat — pa mundim të veçantë, nga vetë natyra e SaaSS-it. Amy Webb, që kurrë nuk kish në mendje të postonte ndonjë foto të së bijës, bëri gabimin e përdorimit të një SaaSS-i (Instagram) për përpunim të fotove të saj. Dhe më pas fotot rrodhën prej andej në internet.

Teorikisht, fshehtëzimi homomorfik një ditë mund të përparojë deri në atë pikë sa shërbime SaaSS të ardhshme të mund të ndërtohen për të qenë të paafta të kuptojnë disa nga të dhënat që përdoruesit dërgojnë në ta. Shërbime të tilla mundet të rregullohen për të mos futur hundët te përdoruesit; kjo nuk do të thotë ama që nuk do të futen hundët.

Disa sisteme operative kanë deriçka të pasme universale, që i lejojnë dikujt të instalojë që nga larg ndryshime software-i. Për shembull, Windows ka një të tillë përmes të cilës Microsoft-i mundet të ndryshojë me detyrim çfarëdo software-i në makinë. Thuajse krejt telefonat portativë kanë të tilla gjithashtu. Deriçka universale kanë edhe disa aplikacione pronësore; për shembull, klienti Steam për GNU/Linux i lejon programuesit të instalojë që nga larg versione të modifikuara.

Me SaaSS-in, operatori i shërbyesit mund të ndryshojë software-in në përdorim te shërbyesi. Do të duhej të qe në gjendje ta bëjë këtë, ngaqë është kompjuteri i tij; përfundimi ama është i njëjtë si me përdorimin e një programi aplikacioni pronësor me deriçkë universale: dikush ka fuqinë të imponojë heshtazi ndryshime se si përdoruesi kryen punimin me kompjuter .

Ndaj, SaaSS-i është i barasvlershëm me xhirim software-i pronësor me spyware dhe deriçkë universale. I jep operatorit të shërbyesit fuqi të padrejtë mbi përdoruesin, dhe kjo fuqi është diçka të cilës duhet t’i rezistojmë.

SaaSS dhe SaaS

Fillimisht kësaj praktike problematike iu referuam si “SaaS”, që do të thotër “Software as a Service” - Software si Shërbim. Është një term i përdorur rëndom për ujdisjen e një software-i në një shërbyes, në vend të ofrimit të kopjeve të tij përdoruesve, dhe menduam se përshkruante në mënyrë të përpiktë rastet kur ndodh ky problem.

Më pas vumë re se termi SaaS ndonjëherë përdoret për shërbime komunikimi — veprimtari për të cilat kjo çështje nuk ka vend. Veç kësaj, termi “Software-i si Shërbim” nuk shpjegon pse praktika është e keqe. Ndaj sajuam termin “Shërbim si Zëvendësim Software-i”, që i përkufizon më qartë praktikat e dëmshme dhe e shpreh se ku qëndron e keqja.

Ndarja e Çështjes së SaaSS-it nga Çështja e Software-it Pronësor

SaaSS-i dhe software pronësor shpien në përfundime të dëmshme të ngjashme, por mekanizmat janë të ndryshëm. Me software-in pronësor, mekanizmin e përbën pasja dhe përdorimi i një kopje e cila është e vështirë dhe/ose e paligjshme të ndryshohet. Me SaaSS-in, nuk e keni kopjen që kryen përllogaritjet për ju.

Këto dy çështje shpesh ngatërrohen, dhe jo vetëm padashur. Zhvilluesit Web përdorin termin e vagullt “aplikacion web” për të vënë në një thes software shërbyesi tok me programe të xhiruar në makinën tuaj përmes shfletuesit tuaj. Disa faqe web instalojnë në shfletuesin tuaj programe JavaScript jo më triviale, madje të mëdhenj, pa ju informuar fare. Kur këto programe JavaScript janë jo të lira, ato shkaktojnë të njëjtën lloj padrejtësie si çfarëdo software tjetër jo i lirë. Këtu, ama, problemin e kemi me çështjen e përdorimit të shërbimit në vetvete.

Shumë përkrahës të software-it të lirë mendojnë se problemi i SaaSS-it do të zgjidhet duke zhvilluar software të lirë për shërbyesit. E mira e operatorit të shërbyesit është që programet në shërbyes më mirë të ishin të lirë; nëse janë pronësorë, zhvilluesit/të zotët e tyre kanë pushtet mbi shërbyesin. Kjo është e padrejtë kundrejt operatorit të shërbyesit, dhe nuk i ndihmon fare përdoruesit e shërbyesit. Por nëse programet në shërbyes janë të lirë, kjo nuk i mbron përdoruesit e shërbyesit nga efektet SaaSS. Këto programe çlirojnë operatorin e shërbyesit, por jo përdoruesit e shërbyesit.

Hedhja në qarkullim e kodit burim të software-it të shërbyesit është me përfitim për bashkësinë: u bën të mundur përdoruesve me aftësitë e duhura të ndërtojnë shërbyes të ngjashëm, ndoshta edhe duke e ndryshuar software-in. Rekomandojmë përdorimin e GNU Affero GPL-së si licencën për programe të përdorur shpesh në shërbyes.

Por asnjë prej këtyre shërbyesve nuk do t’ju jepte kontroll mbi përllogaritjet që bëni në të, veç në qoftë shërbyesi juaj (një i tillë për të cilin kontrolloni software-in që xhiron, pavarësisht nëse makina është pronë e juaja apo jo). Mund të mos ketë problem t’i besoni shërbyesit të një miku për disa punë, ashtu siç mund të lini shokët tuaj të mirëmbajnë software-in në kompjuterin tuaj. Jashtë kësaj shtrirjeje, krejt shërbyesit nga ju duhen konsideruar SaaSS. SaaSS-i përherë ju nënshtron ndaj pushtetit të operatorit të shërbyesit, dhe kura e vetme është: Mos përdorni SaaSS! Mos përdorni shërbyesin e dikujt tjetër për të bërë përllogaritjet tuaja mbi të dhëna që i furnizoni ju vetë.

Kjo çështje demonstron thellësinë e dallimit mes “burimit të hapur” dhe “software-it të lirë”. Kodi burim që është burim i hapur është, thuajse përherë, i lirë. Megjithatë, ideja e një shërbimi “software-i me burim të hapur”, duke nënkuptuar një për të cilin software-i i shërbyesit është me burim të hapur dhe/ose i lirë, dështon t’i japë zgjidhje çështjes së SaaSS-it.

Shërbimet janë në thelb të ndryshme nga programet, dhe çështjet etike që shpërfaqin shërbimet janë në thelb të ndryshme nga çështjet që shpërfaqin programet. Për të shmangur ngatërrimin, e shmangim përshkrimin e një shërbimi si “të lirë” ose “pronësor.”

Bërja e Dallimit Mes SaaSS-it dhe Shërbimeve të Tjera Rrjeti

Cilat shërbime internetore janë SaaSS? Shembulli më i qartë është një shërbim përkthimi, i cili përkthen tekst (le të themi) Anglisht në tekst Spanjisht. Përkthimi i një teksti për ju është një akt kompjuterik që ju takon thjesht juve. Mund ta bënit duke xhiruar një program në kompjuterin tuaj, vetëm të kishit programin e duhur. (Për të qenë etik, ky program do të duhej të ishte i lirë.) Shërbimi i përkthimit e zëvendëson këtë program, pra është një Shërbim si Zëvendësim Software-i, ose SaaSS. Ngaqë ju mohon kontrollin mbi punimin tuaj në kompjuter, ju bën dëm.

Një tjetër shembull është përdorimi i një shërbimi si Flickr apo Instagram për të modifikuar një foto. Modifikimi i fotove është një veprimtari që njerëzit kanë me dhjetëra vjet që e bëjnë në kompjuterat e tyre; bërja tani në një shërbyes që nuk e kontrolloni, në vend se në kompjuterin tuaj, përbën SaaSS.

Të mos pranosh SaaSS nuk do të thotë të refuzosh të përdorësh çfarëdo shërbyesi rrjeti të xhiruar nga kushdo tjetër veç jush. Shumica e shërbyesve nuk janë SaaSS, ngaqë punët që bëjnë janë një lloj komunikimi, në vend se përllogaritje në këmbë të përdoruesit.

Ideja origjinale për shërbyesit web nuk qe të bënin përllogaritje për ju, qe botimi i të dhënave për ju, që të mund t’i përdorni. Madje edhe sot, kjo është ajo çka bëjnë shumica e sajteve, dhe nuk shtrohet problemi SaaSS, ngaqë përdorimi i informacioneve të botuara të dikujt nuk përbën kryerje përllogaritjesh në këmbë të tij. Dhe i tillë s’është as përdorimi i një blogu për të botuar vepra tuajat, apo përdorimi i një shërbimi mikroblogimi si Twitter ose StatusNet. (Këto shërbime mund të kenë ose jo probleme të tjera, në varësi të hollësive që merren në shqyrtim.) E njëjta gjë vlen edhe për komunikime të tjera që nuk janë konceptuar për të qenë private, b.f. grupe fjalosjesh.

Në thelbin e saj, lidhja përmes rrjetesh shoqërore është një formë botimi dhe komunikimi, jo SaaSS. Sidoqoftë, një shërbim që përbërëse bazë ka lidhjen mes një rrjeti shoqëror, mund të ketë veçori ose zgjerime që janë SaaSS.

Nëse një shërbim s’është SaaSS, kjo nuk do të thotë që kaq qe, jemi në rregull. Ka çështje të tjera etike rreth shërbimeve. Për shembull, Facebook-u përdor Flash për videot, çka i shtyn me zor përdoruesit të përdorin software jo të lirë; lyp xhirim në kompjuterin tuaj kodi JavaScript jo të lirë; dhe u jep përdoruesve një përshtypje të shtrembër privatësie, ndërkohë që i josh ata t’i shfaqin Facebook-ut lakuriq jetën e tyre. Këto janë probleme të rëndësishme, të ndryshme nga problemi SaaSS.

Shërbime të tillë si motorët e kërkimeve grumbullojnë të dhëna nga anembanë web-i dhe ju lejojnë t’i merrni në shqyrtim. Këqyrja e koleksioneve të tyre të të dhënave s’është e njëjtë me përllogaritje që do të bënit ju, në kuptimin e rëndomtë të fjalës — atë koleksion nuk e furnizuat ju — ndaj përdorimi i atij shërbimi për të bërë kërkime në internet nuk është SaaSS. Por, përdorimi i shërbyesit të dikujt tjetër për të sendërtuar funksione kërkimi për sajtin tuaj është SaaSS.

Blerjet internetore nuk përbëjnë SaaSS, ngaqë përllogaritjet nuk janë veprimtari e juaja; ato kryhen në bashkëpunim me ju dhe për ju, nga ju dhe dyqani. Problemi i vërtetë me blerjet internetore është t’ua besoni apo jo palëve të tjera paratë tuaja dhe të tjera të dhëna personale (duke filluar me emrin tuaj).

Sajte depozitimesh, të tillë si Savannah dhe SourceForge nuk janë nga natyra SaaSS, ngaqë puna e një depoje është botimi i të dhënave që i furnizohen.

Përdorimi i shërbyesve të një projekti të përbashkët s’është SaaSS, ngaqë përllogaritjet që bëhen në këtë mënyrë, s’ju përkasin juve. Për shembull, nëse përpunoni faqe në Wikipedia, nuk bëni përllogaritje tuajat; në vend të kësaj, po bashkëpunoni në përllogaritje të Wikipedia-s. Wikipedia ka kontrollin e shërbyesve të vet, por entet, dhe po ashtu edhe personat individualë, problemin e SaaSS-it e hasin nëse kryejnë në shërbyesin e dikujt atë që mund ta bënin në kompjuterin e tyre.

Disa sajte ofrojnë shumë shërbime njëherësh, dhe nëse njëri s’është SaaSS, tjetri mund të jetë. Për shembull, shërbimi kryesor i Facebook-ut përfaqëson lidhjet përmes një rrjeti shoqëror, dhe kjo nuk është SaaSS; megjithatë ai mbulon aplikacione nga palë të treta, disa prej të cilave përbëjnë SaaSS. Shërbimi kryesor që bën Flickr's është shpërndarja e fotove, që nuk përbën SaaSS, por ai ka edhe veçori për përpunim fotosh, çka është SaaSS. Po njësoj, përdorimi i Instagramit për postimin e një fotoje, nuk përbën SaaSS, por përdorimi i tij për të transformuar foton është SaaSS.

Google Docs tregon se sa i ndërlikuar mund të bëhet vlerësimi i një shërbimi të caktuar. Në të, njerëzit ftohen të përpunojnë një dokument përmes xhirimit të një programi jo të lirë JavaScript, të madh, haptazi gabim. Megjithatë, ai ofron një API për ngarkim dhe shkarkim dokumentesh në formate standard. Një përpunues tekstesh që është software i lirë mund ta bëjë këtë përmes kësaj API. Ky skenar nuk përbën SaaSS, ngaqë e përdor Google Docs thjesht si një depo të rëndomtë. Shfaqja e krejt të dhënave tuaja një kompanie është e dëmshme, por kjo hyn te privatësia, jo te SaaSS; të qenët i varur nga një shërbim për të hyrë në të dhënat personale është i dëmshëm, por këtu bëhet fjalë për rreziqe, jo për SaaSS. Nga ana tjetër, përdorimi i shërbimit për shndërrim formatesh dokumentesh është SaaSS, ngaqë është diçka që do të mund ta bënit duke xhiruar një program të përshtatshëm (të lirë, shpresohet) në kompjuterin tuaj.

Përdorimi i Google Docs përmes një përpunuesi të lirë është i rrallë, sigurisht. Në shumicën e rasteve, njerëzit e përdorin përmes programit JavaScript jo të lirë, që është i dëmshëm si cilido program jo i lirë. Ky skenar mund të evoluojë drejt SaaSS-i, gjithashtu; kjo varet se cila pjesë e përpunimit kryhet në programin JavaScript dhe cila pjesë në shërbyes. Nuk e dimë, por ngaqë SaaSS-i dhe software-i pronësor i bëjnë dëm të ngjashëm përdoruesit, s’është kyçe ta dimë.

Botimi i diçkaje përmes depos së dikujt tjetër nuk sjell në lojë probleme privatësie, por botimi përmes Google Docs ka një problem special: është e pamundur madje të shihet teksti i një dokumenti Google Docs në një shfletues pa xhiruar kod JavaScript jo të lirë. Ndaj, s’duhet të përdorni Google Docs për të botuar gjë — por arsyeja nuk hyn te SaaSS-i.

Industria TI i shkurajon përdoruesit të bëjnë këto dallime. Për këtë shërben fjala në modë “cloud computing”. Ky term është kaq nebuloz sa që mund t’i referohet thuajse çfarëdo përdorimi të Internetit. Përfshin SaaSS, si dhe mjaft praktika të tjera përdorimi të rrjeteve. Në çfarëdo konteksti të dhënë, gjasat janë që, një autor që shkruan “cloud” (në qoftë person teknik), të ketë në mendje një domethënie specifike, por zakonisht nuk shpjegon që në artikuj të tjetër termi ka domethënie të tjera specifike. Termi i shpie njerëzit të bëjnë përgjithësime mbi praktika të cilat do të duhej t’i shqyrtonin tek e tek.

Nëse “cloud computing” ka një kuptim, ky nuk është ndonjë mënyrë e kryerjes së përllogaritjeve, por një rrugë të menduari rreth përllogaritjeve: një trajtim moskokëçarës që thotë, “Mos pyet. Mos u bëj merak se kush i kontrollon përllogaritjet tuaja ose kush i mban të dhënat tuaja. Mos kontrollo për karrem të fshehur brenda shërbimit tonë, përpara se ta përtypni. Besojuni pa ngurrim kompanive.” Me fjalë të tjera, “Jini leshko.” Mjegulla në mendje është pengesë për të menduarit e qartë. Për hir të të menduarit të qartë rreth përllogaritjeve, le ta shmangim termin “cloud.”

Marrja Me Qera e një Shërbyesi Që Ndryshon Nga SaaSS-i

Nëse merrni me qira një shërbyes (real apo virtual), mbi ngarkesën software të të cilit keni kontrollin, këtu nuk kemi SaaSS. Në SaaSS, dikush tjetër vendos se çfarë software-i xhiron në shërbyes dhe prandaj kontrollon përllogaritjet që ai bën për ju. Në rastin kur instaloni software në shërbyes, se ç’përllogaritje bën ky për ju, e kontrolloni ju. Ndaj, shërbyesi i marrë me qira është në fakt kompjuter i juaji. Për këtë çështje, merret si i juaji.

dhënat në shërbyes të largët të marrë me qira janë më pak të sigurta se sa po ta kishit shërbyesin në shtëpi, por kjo është një çështje më vete nga SaaSS.

Kjo lloj dhënie me qira e shërbyesit quhet ndonjëherë “IaaS”, por ky term hyn në një strukturë konceptuale që i minimizon problemet të cilat i konsiderojmë të rëndësishme.

Trajtimi i Problemit SaaSS

Vetëm një pjesë e vogël e krejt sajteve realizojnë SaaSS; për shumicën nuk shtrohet problemi. Por ç’duhet të bëjmë me ata për të cilët shtrohet?

Për rastin e thjeshtë, kur bëni përllogaritje mbi të dhëna që i keni vetë në dorë, zgjidhja është e thjeshtë: përdorni kopjen tuaj të një aplikacioni software të lirë. Bëni përpunim tekstesh me kopjen tuaj të një përpunuesi të lirë tekstesh, të tillë si GNU Emacs ose një fjalëpërpunues i lirë. Bëni përpunim fotosh tuajat me kopjen tuaj të një software të lirë, të tillë si GIMP. Po kur nuk ka program të lirë? Një program pronësor ose SaaSS-i do t’ju hiqte lirinë, ndaj s’duhet t’i përdorni. Mund të kontribuoni me kohë ose me para që të zhvillohet një zëvendësim i lirë i tij.

Po për bashkëpunim me individë të tjerë si një grup? Hëpërhë mund të jetë e zorshme të bëhet kjo pa përdorur një shërbyes, dhe grupi juaj mund të mos dijë si të xhirojë shërbyesin e vet. Nëse përdorni shërbyesin e dikujt tjetër, të paktën mos i besoni një shërbyesi të xhiruar nga një kompani. Një kontratë e thjeshtë klienti nuk është mbrojtje, veç nëse mund të kapni një shkelje dhe vërtet mundeni të paditni, dhe gjasat janë që kompania e shkruan kontratën për të lejuar një gamë të gjerë abuzimesh. Shteti, nën kërcënimin e ndjekjes ligjore, mund t’i kërkojë kompanisë të dhënat tuaja dhe të kujtdo tjetër, ashtu siç ka bërë Obama me kompani telefonike, duke hamendësuar që kompania nuk e bën këtë vullnetarisht, ashtu si kompanitë telefonike të ShBA-ve që përgjuan ilegalisht klientët e tyre për Bush-in. Nëse duhet të përdorni një shërbyes, përdorni një shërbyes operatori i të cilit ju jep një bazë besueshmërie tej marrëdhënies së thjeshtë komerciale.

Sidoqoftë, në shtrirje më të gjatë kohore, mund të krijojmë alternativa ndaj përdorimit të shërbyesve. Për shembull, mund të krijojmë një program peer-to-peer përmes të cilit bashkëpunëtorët të mund të shkëmbejnë të dhëna të fshehtëzuara. Bashkësia e software-it të lirë duhet të zhvillojë zëvendësime peer-to-peer për “aplikacione web” të rëndësishme. Hedhja e tyre në qarkullim nën licencën GNU Affero GPL mund të ishte veprim i mençur, ngaqë do të ishin kandidatë për shndërrim nga dikush tjetër në programe me bazë shërbyes. Projekti GNU kërkon vullnetarë për të punuar për zëvendësime të tilla. Ne i ftojmë edhe projektet e tjera të software-it të lirë ta shohin këtë problem në strukturat e tyre.

Ndërkohë, nëse një kompani ju fton të përdorni shërbyesit e saj për të kryer punë tuajat me përllogaritje, mos u dorëzoni; mos përdorni SaaSS. Mos blini apo instaloni “thin clients”, që janë thjesht kompjutera kaq të dobët sa ju bëjnë të kryeni punën tuaj reale në një shërbyes, veç në i përdorshi me shërbyesin tuaj. Përdorni një kompjuter tuajin dhe mbajini të dhënat tuaja aty. Kryejeni punën me kopjen tuaj të një programi të lirë, për hir të lirisë.

Shihni edhe:

E meta të Cilën Askush S’është Lejuar Ta Kuptojë.