E Drejta Për të Lexuar

nga Richard Stallman

Ky artikull u botua në numrin e shkurtit të 1997-s të Communications of the ACM (Volumi 40, Numri 2).


Nga Udha Për Në Tiko, një koleksion artikujsh rreth pararendësve të Revolucionit Lunarian, botuar në Luna City, më 2096-n.

Për Dan Halbertin, rruga drejt Tikos zuri në gjimnaz—kur Lisa Lenc i kërkoi borxh kompjuterin. I saji qe prishur, dhe po të mos gjente hua një tjetër, s’do të kalonte provimin e dimrit. S’kish tjetër të cilin do të guxonte ta pyeste, veç Danit.

Kjo e vuri Danin në një dilemë. Duhej ta ndihmonte—por po t’i jepte hua kompjuterin e saj, ajo mund të lexonte librat e tij. Veç faktit se mund të përfundoje në burg për shumë vjet, nëse lejoje dikë të lexonte librat e tu, vetë ideja e tronditi në fillim. Si gjithkujt, i kishin mësuar që prej fillores se dhënia e librave të tjerëve ishte e ligë dhe e gabuar—diçka që e bënin vetëm piratët.

Dhe kishte pak mundësi që AMS-ja—Autoriteti i Mbrojtjes së Software-it—të dilte huq për ta kapur. Në orën e software-it, Dani kishte mësuar se çdo libër kishte një monitor të drejtash kopjimi që raportonte Qendrës së Licencimeve kur dhe ku qe lexuar, dhe nga kush. (Këtë informacion e përdorin për të kapur piratë leximi, por edhe për t’u shitur tregtuesve profile interesash personale.) Herës tjetër që kompjuteri i tij do të lidhej në internet, Qendra e Licencimeve do ta merrte vesh. Ai, si i zoti i kompjuterit, do të pësonte dënimin më të rëndë—pse nuk çau kryet të parandalonte krimin.

Sigurisht që Lisa jo domosdo kish në mendje të lexonte librat e tij. Mund ta kishte dashur kompjuterin e tij vetëm për të shkruar punimin. Por Dani e dinte se rridhte prej një familjeje të shtresës së mesme dhe me zor përballonte tarifat e arsimimit, lere më pastaj, tarifat e leximit. Leximi i librave të tij mund të qe rruga e vetme se si të diplomohej. E kuptonte tërë këtë; atij vetë i qe dashur të merrte hua për të paguar për krejt artikujt kërkimorë që pat lexuar. (Dhjetë përqind e këtyre tarifave u shkonin kërkuesve që shkruan artikujt; ngaqë Dani ia kish vënë syrin karrierës akademike, mund të shpresonte se artikujt kërkimorë të vetë atij, nëse lexohen shpesh, do të mund t’i sillnin fitime të mjaftueshme për të kthyer këtë borxh.)

Më vonë, Dani do të mësonte se njëherë e një kohë, cilido mund të shkonte në bibliotekë dhe të lexonte artikuj revistash shkencore, madje dhe libra, pa u dashur të paguante. Kish pasur studiues të pavarur që patën lexuar me mijëra faqe pa grante qeveritare për bibliotekë. Por gjatë viteve 90 të shekullit XX, si botuesit komercialë, ashtu edhe ata të revistave jokomerciale patën filluar të aplikonin tarifa për hyrje në to. Pas 2047-s, bibliotekat që ofronin hyrje të lirë publike në literaturë akademike qenë një kujtim i zbehtë.

Kishte rrugë, sigurisht, për t’ia hedhur AMS-së dhe Qendrës së Licencimeve. Në vetvete të paligjshme. Dano kish pasur një shok klase në lëndën e software-it, Frank Martucci, që kish shtënë në dorë një mjet të paligjshëm diagnostikimesh, dhe e kish përdorur për t’u hedhur tej kodit të mbikëqyrjes së të drejtave të kopjimit, kur lexonte libra. Po u kishte treguar shumë shokëve për të, dhe një prej tyre e shiti te AMS-ja për një shpërblim (studentët e krimbur në borxhe qe e lehtë t’i joshje në tradhti). Në 2047-n, Franku qe në burg , jo për lexim piraterisht, por se kishte një diagnostikues.

Dani do të mësonte më vonë se dikur cilido mund të kishte mjete diagnostikuese Madje kish edhe mjete të lira diagnostikuese që qarkullonin si CD ose të shkarkueshme nga interneti. Por përdoruesit e rëndomtë zunë t’i përdorin për të anashkaluar mbikëqyrës të drejtash kopjimi, dhe në fund një gjykatës deklaroi se ky qe bërë edhe përdorimi kryesor i tyre në praktikë. Kjo do të thoshte se qenë të paligjshme; zhvilluesit e diagnostikuesve përfunduan në burg.

Kuptohet, programuesit prapëseprapë kishin nevojë për mjete diagnostikimi, por tregtuesit e diagnostikuesve në 2047-n shpërndanin vetëm kopje të numëruara, dhe vetëm për programues të licencuar dhe të lidhur zyrtarisht. Diagnostikuesi që përdorte Dani në lëndën e software-it ruhej pas një firewall-i special, ndaj mund të përdorej vetën gjatë ushtrimesh në klasë.

Qe gjithashtu e mundur të anashkaloheshin mbikëqyrësit e të drejtave të kopjimit duke instaluar një kernel të ndryshuar sistemi. Dani do mësonte më në fund rreth kernelash të lirë, madje sisteme të tërë operativë të lirë, që kishin ekzistuar aty nga fundi i shekullit të kaluar. Por jo vetëm që ishin të paligjshëm, si diagnostikuesit—s’mundeshit të instaloni një të tillë, nëse kishit, pa ditur fjalëkalimin e rrënjës në kompjuterin tuaj. Dhe as FBI, as Microsoft s’do t’jua tregonin.

Dani doli në përfundimin se s’mundej thjesht t’i jepte borxh kompjuterin e vet Lisës. Por s’mund të refuzonte ta ndihmonte, sepse e donte atë. Çdo rast për të biseduar me të e mbushte me lumturi. Dhe fakti që ajo zgjodhi atë për të kërkuar ndihmë, kjo mund të donte të thoshte se edhe ajo e donte.

Dani e zgjidhi dilemën duke bërë diçka akoma edhe më të pamendueshme—ia dha borxh kompjuterin, dhe i tregoi asaj fjalëkalimin e tij. Kështu, nëse Lisa do të lexonte librat e tij, Qendra e Licencimeve do të mendonte se po i lexonte ai. Edhe kjo dhënie borxh, krim ishte, por AMS-ja s’do ta mësonte automatikisht. Do ta mësonin vetëm nëse do ta shiste Lisa.

Sigurisht, nëse do ta mësonte ndonjëherë shkolla se i kishte dhënë Lisës fjalëkalimin e tij, ky do të ishte fundi për të dy, si studentë, pavarësisht se përse e kishte përdorur ajo. Rregulli i shkollës qe që çfarëdo ngatërrimi me mjetet e tyre të mbikëqyrjes së kompjuterave të studentëve, përbënte bazë për veprim disiplinor. S’kish rëndësi nëse bëtë apo jo diçka të dëmshme—faji qe vështirësimi i kontrollit mbi ju nga administratorët. Merrej e mirëqenë se bënit diçka tjetër të ndaluar, dhe s’ishte nevoja të dihej se çfarë.

Për këtë, studentët zakonisht nuk përjashtoheshin—jo drejtpërdrejt. Në vend të kësaj, atyre u ndalohej përdorimi i sistemeve kompjuterike të shkollës, dhe kështu do të ngelnin në të gjitha lëndët.

Më vonë, Dani do të mësonte se ky lloj rregulli universiteti kish filluar vetëm në vitet ’80 të shekullit XX, kur studentët e universiteteve filluan të përdorin në masë kompjuterat. Më parë, universitetet përdornin tjetër mënyrë për disiplinimin e studentëve; dënonin veprimtari që qenë të dëmshme, jo thjesht ato për të cilat mund të lindte dyshim.

Lisa nuk e spiunoi Danin te AMS-ja. Vendimi i tij për ta ndihmuar, shpuri në martesën e tyre, dhe i bëri edhe të shqyrtonin ç’u ishte mësuar mbi piraterinë si fëmijë. Çifti filloi të lexonte mbi historikun e të drejtave të kopjimit, mbi Bashkimin Sovjetik dhe kufizimet e tij mbi kopjimin, dhe madje edhe Kushtetutën origjinale të Shteteve të Bashkuara. U shpërngulën në Luna, ku gjetën të tjerë që kishin ikur prej krahut të gjatë të AMS-së. Kur filloi Revolta e Tikos më 2062-shin, e drejta universale për të lexuar shpejt u bë një nga synimet e saj kryesore.

Bëhuni pjesë e listës tonë të postimeve mbi rreziqet e e-librave.

Shënime Autori

Shënimi vijues është përditësuar disa herë, që nga hera e parë e botimit të artikullit.

Lajme të Liga

Beteja për të drejtën për të lexuar është duke ecur kundër nesh deri sot. Armiku është i organizuar, kurse ne s’jemi.

E-librat komercialë të së sotmes asgjësojnë liritë tradicionale të lexuesit. Produkti i Amazon-ës për lexues e-librash, të cilin unë e quaj “Amazon Swindle” ngaqë është konceptuar t’u heqë me batakçillëk lexuesve liritë tradicionale të lexuesve të librave, xhiron nën software me disa funksione oruelliane të faktuara. Secili prej tyre kërkon hedhjen poshtë tërësisht të produktit:

  • Spiunon mbi gjithçka që përdoruesi bën: raporton se cilin libër po lexon përdoruesi, dhe cilën faqe, dhe raporton kur përdoruesi nënvizon tekst, dhe çfarëdo shënimesh që bën përdoruesi.

  • Përmban ADK, i cili është konceptuar për të bllokuar shkëmbim kopjesh mes përdoruesve.

  • Ka një deriçkë të pasme, përmes të cilës Amazon mund të fshijë së largëti çfarëdo libri. Më 2009-n, fshiu mijëra kopje të “1984”-s të Xhorxh Oruellit.

  • Në rast se tërë kjo s’është edhe aq oruelliane, ka një deriçkë të pasme universale përmes të cilës Amazon mund të ndryshojë së largëti software-in, dhe të fusë në të çfarëdo formë tjetër anësh të shpifura.

Edhe shpërndarja e e-librave nga Amazon është tiranike. Ajo identifikon përdoruesin dhe regjistron çfarë librash merr përdoruesi. Kërkon gjithashtu doemos që përdoruesi të pajtohet me një kontratë antisociale se s’do t’u japin kopje të tjerëve. Vetëdija më thotë se, nëse do të isha pajtuar me një kontratë të tillë, e keqja më e vogël do të ishte të sfidohej dhe të jepja kopje; por, për të qenë tërësisht i mirë, s’do të pajtohesha, që në fillim. Ndaj, nuk pranoj të pajtohem me kontrata të tilla, qoftë për software, për e-libra, për muzikë, apo për çfarëdo tjetër.

Nëse duam të ndalim lajmet e liga dhe të krijojmë lajme të mbara, na duhet të organizohemi dhe të luftojmë. Pajtohuni te fushata Defective by Design e FSF-së, që të jepni ndihmë. Për të përkrahur punën tonë më në përgjithësi, mund të bëheni pjesë e FSF-së. Ka gjithashtu një listë rrugësh për të marrë pjesë në punën tonë.

Referenca


Kjo sprovë është botuar te Software i Lirë, Shoqëri e Lirë: Sprova të Përzgjedhura të Richard M. Stallman-it.