Njoftimi Fillestar

Ky është njoftimi origjinal mbi Projektin GNU, postuar nga Richard Stallman më 27 shtator, 1983.

Historia faktike e Projektit GNU është, në shumë pikëpamje, e ndryshme nga ky plan fillestar. Për shembull, fillimi u shty deri më Janar të 1984. Disa prej koncepteve filozofike rreth software-it të lirë nuk qenë të qartësuara deri para pak vitesh.

Free Unix!

Duke nisur nga kjo Ditë e Falënderimeve do të filloj të shkruaj një sistem të plotë software-i, të përputhshëm me Unix-in, të quajtur GNU (shkurtim i Gnu's Not Unix), dhe ta jap falas(1) për këdo që don ta përdorë. Kontribute në kohë, para, programe dhe pajisje nevojiten shumë.

Për t’ia filluar, GNU do të jetë një kernel plus krejt mjetet e nevojshme për shkrim dhe xhirim programesh në C: përpunues, shell, përpilues C, lidhës, asembler, dhe ndoca gjëra të tjera. Pas kësaj do të shtojmë një formatues tekstesh, një YACC, një lojë Empire, një fletëllogaritës, dhe qindra gjëra të tjera. Shpresojmë të furnizojmë, përfundimisht, gjithçka të dobishme që vjen normalisht me një sistem Unix, dhe çfarëdo gjëje tjetër të dobishme, përfshi dokumentim on-line dhe në shtypshkrim.

GNU do të jetë në gjendje të xhirojë programe Unix, por nuk do të jetë identik me Unix. Do të bëjmë tërë përmirësimet që ia leverdis, bazuar në përvojën tonë me sisteme të tjera operative. Në veçanti, kemi në plan të shtojmë emra më të gjatë kartelash, numra versioni kartelash, një sistem kartelash që nuk vithiset, ndoshta plotësim emri kartele, mbulim për ekran të pavarur nga terminali, e në fund edhe një sistem dritaresh bazuar në Lisp përmes të cilit disa programe Lisp dhe programe të rëndomtë Unix mund të ndajnë bashkë të njëjtin ekran. Si C, ashtu edhe Lisp do të mund të kihen si gjuhë programimi për sistemin. Do të kemi software rrjeti, të bazuar në protokollin chaosnet të MIT-së, shumë më sipëran se UUCP. Ndoshta do të kemi diçka të përputhshme me UUCP-në.

Kush Jam?

Jam Richard Stallman, shpikësi i përpunuesit origjinal e të shumë-imituar EMACS, tani në Laboratorin e Inteligjencës Artificiale në MIT. Kam punuar rëndshëm me përpilues, përpunues, debugger-a, interpretues urdhrash, Incompatible Timesharing System dhe sistemin operativ Lisp Machine. Jam marrë i pari me mbulim ekrani të pavarur nga terminali në ITS. Veç këtyre kam sendërtuar një sistem kartelash që nuk vithiset dhe dy sisteme dritaresh për makina Lisp.

Pse Duhet Ta Shkruaj GNU-në

Mendoj se rregulli i artë e lyp që nëse më pëlqen një program, ta ndaj atë me të tjerë persona që e pëlqejnë. Nuk mundem, me ndërgjegje të pastër, të nënshkruaj një marrëveshje moszbulimi ose një marrëveshje licence software-i.

Që të mund të vazhdoj t’i përdor kompjuterat pa dhunuar parimet e mia, kam vendosur të bëj tok një trup të nevojshëm software-i të lirë që të jem në gjendje të vazhdoj pa ndonjë software që nuk është i lirë.

Si Mund të Kontribuoni

U kërkoj prodhuesve të kompjuterave dhurime makinash dhe parash. U kërkoj individëve dhurime programesh dhe pune.

Një prodhues kompjuterash ka premtuar tashmë të dhurojë një makinë. Por mund të përdorim edhe më tepër se një. Një rrjedhim që mund të prisni nga dhurimi i makinave është fakti që GNU-ja do të xhirojë në ta prej një date më të afërt. Makina është mirë të jetë e aftë të punojë në zona të banuara, dhe të mos ketë nevojë për ftohje ose ushqim të sofistikuar.

Programues individualë mund të kontribuojnë duke shkruar një kopje të përputhshme të disa prej mjeteve Unix dhe të m’i japin mua. Për shumicën e projekteve, kjo pjesëmarrje e shpërndarë dhe me kohë të pjesshme do të ishte shumë e vështirë të bashkërendohej; pjesët e shkruara në mënyrë të pavarur nuk do të punonin tok. Por për synimin e veçantë të zëvendësimit të Unix-it, ky problem nuk është i pranishëm. Shumica e specifikimeve për ndërfaqen janë të rregulluara nga përputhshmëria me Unix-in. Po qe se çdo kontribut funksionon me pjesën tjetër të Unix-it, ka gjasa që do të punojë edhe me pjesën tjetër të GNU-së.

Nëse siguroj dhurime në para, ndoshta do të jem në gjendje të punësoj pak vetë me kohë të plotë ose të pjesshme. Rroga nuk do të jetë e lartë, por po kërkoj persona për të cilët fakti që po ndihmojnë njerëzimin është po aq i rëndësishëm sa edhe paraja. E shoh këtë si një rrugë për t’u krijuar mundësinë personave të përkushtuar t’ia kushtojnë energjitë e tyre punës me GNU-në, duke i çliruar nga nevoja të fitojnë jetesën në një rrugë tjetër.

Për më tepër të dhëna, lidhuni me mua.

Postë Arpanet:
RMS@MIT-MC.ARPA

Usenet:
...!mit-eddie!RMS@OZ
...!mit-vax!RMS@OZ

Postë e Zakonshme në ShBA:
Richard Stallman
166 Prospect St
Cambridge, MA 02139

Zgjedhje e dobët fjalësh përqark “i lirë”

Përdorimi i fjalëve këtu qe i pakujdesshëm. Dëshira qe që askujt nuk do t’i duhej të paguante për leje përdorimi të sistemit GNU. Por fjalët nuk e bëjnë të qartë këtë, dhe njerëzit shpesh i interpretojnë ato si të thoshin që kopjet e GNU-së do të duhej të shpërndaheshin përherë kundrejt pak ose aspak shpërblimi. Ky kurrë nuk qe synimi.

Mesazhi origjinal

Për hir të plotësisë, email-i origjinal është riprodhuar këtu, në formën e tij origjinale.



Prej CSvax:pur-ee:inuxc!ixn5c!ihnp4!houxm!mhuxi!eagle!mit-vax!mit-eddie!RMS@MIT-OZ
Prej: RMS%MIT-OZ@mit-eddie
Grupe Lajmesh: net.unix-wizards,net.usoft
Subjekt: new Unix implementation
Datë: Mar, 27-Sht-83 12:35:59 EST
Ent: MIT AI Lab, Cambridge, MA

Free Unix!

Duke nisur nga kjo Ditë e Falënderimeve do të filloj të shkruaj një sistem
të plotë software-i, të përputhshëm me Unix-in, të quajtur GNU
(shkurtim i Gnu's Not Unix), dhe ta jap falas(1) për
këdo që don ta përdorë.  Kontribute në kohë, para, programe dhe pajisje
nevojiten shumë.

Për t’ia filluar, GNU do të jetë një kernel plus krejt mjetet e nevojshme për
shkrim dhe xhirim programesh në C: përpunues, shell, përpilues C, lidhës,
asembler, dhe ndoca gjëra të tjera.  Pas kësaj do të shtojmë një formatues
tekstesh, një YACC, një lojë Empire, një fletëllogaritës, dhe qindra gjëra
të tjera.  Shpresojmë të furnizojmë, përfundimisht, gjithçka të dobishme që
vjen normalisht me një sistem Unix, dhe çfarëdo gjëje tjetër të dobishme,
përfshi dokumentim on-line dhe në shtypshkrim.

GNU do të jetë në gjendje të xhirojë programe Unix, por nuk do të jetë
identik me Unix.  Do të bëjmë tërë përmirësimet që ia leverdis, bazuar në
përvojën tonë me sisteme të tjera operative.  Në veçanti, kemi në plan të
shtojmë emra më të gjatë kartelash, numra versioni kartelash, një sistem
kartelash që nuk vithiset, ndoshta plotësim emri kartele, mbulim për ekran
të pavarur nga terminali, e në fund edhe një sistem dritaresh bazuar në Lisp
përmes të cilit disa programe Lisp dhe programe të rëndomtë Unix mund të
ndajnë bashkë të njëjtin ekran.  Si C, ashtu edhe Lisp do të mund të kihen si
gjuhë programimi për sistemin.  Do të kemi software rrjeti, të
bazuar në protokollin chaosnet të MIT-së, shumë më sipëran se UUCP.
Ndoshta do të kemi diçka të përputhshme me UUCP-në.


Kush Jam?

Jam Richard Stallman, shpikësi i përpunuesit origjinal e të shumë-imituar
EMACS, tani në Laboratorin e Inteligjencës Artificiale në MIT.  Kam punuar
rëndshëm me përpilues, përpunues, debugger-a, interpretues urdhrash,
Incompatible Timesharing System dhe sistemin operativ Lisp Machine.  Jam
marrë i pari me mbulim të pavarur nga terminali në ITS.  Veç këtyre
kam sendërtuar një sistem kartelash që nuk vithiset dhe dy sisteme dritaresh
për makina Lisp.


Pse Duhet Ta Shkruaj GNU-në

Mendoj se rregulli i artë e lyp që nëse më pëlqen një program, ta ndaj
atë me të tjerë persona që e pëlqejnë. Nuk mundem, me ndërgjegje të pastër,
të nënshkruaj një marrëveshje moszbulimi ose një marrëveshje licence
software-i.

Që të mund të vazhdoj t’i përdor kompjuterat pa dhunuar parimet e mia, kam
vendosur të bëj tok një trup të nevojshëm software-i të lirë që të
jem në gjendje të vazhdoj pa ndonjë software që nuk është i lirë.


Si Mund të Kontribuoni

U kërkoj prodhuesve të kompjuterave dhurime makinash dhe parash.  U kërkoj
individëve dhurime programesh dhe pune.

Një prodhues kompjuterash ka premtuar tashmë të dhurojë një makinë.  Por mund
të përdorim edhe më tepër se një. Një rrjedhim që mund të prisni nga dhurimi
i makinave është fakti që GNU-ja do të xhirojë në ta prej një date më të
afërt. Makina është mirë të jetë e aftë të punojë në zona të banuara, dhe të
mos ketë nevojë për ftohje ose ushqim të sofistikuar.

Programues individualë mund të kontribuojnë duke shkruar një kopje të
përputhshme të disa prej mjeteve Unix dhe të m’i japin mua.  Për shumicën e
projekteve, kjo pjesëmarrje e shpërndarë dhe me kohë të pjesshme do të ishte
shumë e vështirë të bashkërendohej; pjesët e shkruara në mënyrë të pavarur
nuk do të punonin tok.  Por për synimin e veçantë të zëvendësimit të Unix-
it, ky problem nuk është i pranishëm.  Shumica e specifikimeve për ndërfaqen
janë të rregulluara nga përputhshmëria me Unix-in.  Po qe se çdo kontribut
funksionon me pjesën tjetër të Unix-it, ka gjasa që do të punojë edhe me
pjesën tjetër të GNU-së.

Nëse siguroj dhurime në para, ndoshta do të jem në gjendje të punësoj pak
vetë me kohë të plotë ose të pjesshme.  Rroga nuk do të jetë e lartë, por po
kërkoj persona për të cilët fakti që po ndihmojnë njerëzimin është po aq i
rëndësishëm sa edhe paraja.  E shoh këtë si një rrugë për t’u krijuar
mundësinë personave të përkushtuar t’ia kushtojnë energjitë e tyre punës me
GNU-në, duke i çliruar nga nevoja të fitojnë jetesën në një rrugë tjetër.


Për më tepër të dhëna, lidhuni me mua.
Postë mail:
  RMS@MIT-MC.ARPA

Usenet:
  ...!mit-eddie!RMS@OZ
  ...!mit-vax!RMS@OZ

Postë e Zakonshme në ShBA:
  Richard Stallman
  166 Prospect St
  Cambridge, MA 02139